Analiza/ Ç’lojë po luan prokuroria me Bashën

0

Thirrja e Lulzim Bashës nga prokuroria, është shndërruar në një telenovelë politiko- juridike, për të cilën sot është shprehur në mënyrën e tij të veçantë edhe institucioni i akuzës. Po të shikohet me vëmendje dhe të lexohet rresht për rresht deklarata e prokurorisë, ajo nuk bën gjë tjetër veçse shton hamendësimet për një gjueti politike shtrigash.

Mjafton të krahasosh deklaratat që ka bërë prokuroria për dyshimet për financim të paligjshëm të PD dhe ato për përfshirjen në tregti votash të Vangjush Dakos, për të kuptuar se sa shumë kërcet standarti i dyfishtë. Lapsi.al e ka bërë këtë.

Në rastin Basha, njoftimi i sotëm i prokurorisë, duke marrë shkas nga “interesimi i mediave”, thekson se nga hetimi “kanë rezultuar dyshime të arsyeshme të bazuara në prova se ka një diferencë thelbësore mes deklarimeve të bëra zyrtare për shpenzimet e bëra nga subjekti PD dhe shpenzimeve reale që ky subjekt ka bërë. Ky subjekt ka deklaruar vetëm shumën prej 25 000 dollarësh, dhe nuk ka bërë deklarime për shumën prej 650 000 dollarësh. Sipas akteve të ardhura nga letërporositë e mbërritura nga SHBA-ja dhe Skocia, rezultojnë në mënyrë të qartë pagesat e bëra dhe të padeklaruara, çfarë nënkupton se subjekti PD nuk ka bërë asnjë deklarim për këto pagesa në kundërshtim me ligjin”.

Pra po të shikohet me kujdes njoftimi, aty thuhet pothuajse troç se Basha dhe PD e kanë shkelur ligjin për financimin e partive.

Në fakt këtu nuk është puna tek Lulzim Basha. Ai le të hetohet dhe të shkojë edhe në burg nëse ka shkelur ligjin shqiptar. Për mënyrën se si PD ka paguar lobistët amerikanë ka vërtetë dyshime, të cilat i ka bërë të qarta edhe një hetim i thelluar i Zërit të Amerikës.

Por, këtu problemi është tek standartet e dyfishta të një prokurorie që po bëhet gjithnjë e më e politizuar. Dhe për të provuar këtë, le të shohim vetëm një rast: Mënyrën se si reagoi i njëjti institucion kur atij i dolën në shesh përgjimet që kishte bërë vetë, për lidhjet e kryebashkiakut të Durrësit me grupin trafikant të Avdylajve që akuzohej për blerje votash. Menjëherë zëdhënësi i prokurorisë doli në media, në 25 shkurt, të justifikohej se “Po hetohet veprimtaria e tij dhe e shumë personave të tjerë dhe në fund do të konkludohet nëse ka ose jo elementë të veprës penale. Për dosjen 339 me vendim të Donika Prelës janë vendosur 2 prokurorë dhe 10 policë gjyqësorë, nga një prokuror dhe pesë oficerë gjyqësorë që ishin më parë. Po ekzaminohen rreth 400 CD, nga 700”.

Pra mjafton t’i vëzhgosh ato për të parë se e para ka ton akuzues, e dyta ton justifikues (po punohet por ka ende punë), se tek e para flitet për shkelje ligji, tek e dyta as nuk guxohet të përmendet ky koncept, tek e para flitet me emra, tek e dyta thuhet “personi”.

Në fakt ky është një detaj i vogël, por për këdo që di të lexojë mes rreshtave, ai tregon shumë për mendësinë dhe frymën që mbizotëron në prokurori. Të tilla deklarata të ngjashme me atë për Dakon, ky institucion ka bërë edhe për rastin e Agron Xhafajt me Babalen, apo për atë të unazës së re.

Dhe këtu frika nuk është më tek koka e Bashës, por tek shumë më tepër: Mos Prokuroria po përdoret si një pushkë e njërës palë kundër tjetrës? Mos Reforma në Drejtësi që u dyshua si e planifikuar në formën e gjuetisë së shtrigave, po fillon të mari formë?  

Këto janë frikrat e ngjalluara nga aplikimi i këtij standarti të dyfishtë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here